Predikim "Metamorfoza e Shpëtimtarit Krisht" - 6 gusht

 


    Kisha jonë e shenjtë na risjell sot në kujtesë një nga ngjarjet më të mëdha që ndodhën në jetën tokësore të Jisuit, atë të shfaqjes së lavdisë së tij hyjnore, të cilën Kisha e cilëson si Metamorfoza ose Shndërrim. Ungjillor Mattheu na rrëfen se Jisu mori tre nga nxënësit e tij, Pjetrin, Jakovin dhe Joanin dhe u ngjit në mal, ku atje ai ndërroi fytyrën e tij. Dishepujt përveç Jisuit panë edhe dy burra të tjerë, që ungjillori na thotë se janë Moisiu dhe Ilia.

    Ndjesia e veçantë e nxënësve të të qenurit prezent në këtë ngjarje i bëri ata të ndiheshin mirë saqë Pjetri nuk hezitoi të kërkonte që të mos largoheshin nga aty. Por situata ndryshoi akoma dhe më tepër me prezencën e Atit qiellor, zëri i të cilit u dëgjua nga lart, dhe një re mbuloi Jisuin me dy burrat që ndodheshin pranë tij. Dishepujt nuk mundën më ta përballonin këtë moment ndaj dhe ranë përmbys dhe u frikësuan. Ngjarja si për një moment të papritur u zhduk dhe ata ndjenë vetëm Jisuin që i preku dhe u kërkoi të ngriheshin për të zbritur nga mali. E çuditshme mbetet kërkesa që Jisui iu tha të tre nxënësve të tij, që ngjarjen që ata panë të mos ia tregonin askujt deri në ngjalljen e tij.

    Ngjarja e Metamorfozës nuk ishte diçka e çuditshme për vetë Jisuin, por për nxënësit e tij. Jisu Krishti si Perëndi-Njeri shfaqi natyrën e tij hyjnore, pra e bëri të dukshme tek nxënësit e tij. Deri në atë moment dishepujt kishin parë mrekulli të shumta nga Jisui, kishin besuar që ai është biri i Perëndisë, por nuk kishin jetuar as edhe një moment të vetëm në prezencën e lavdisë së tij hyjnore. Ajo çfarë ata jetuan në këtë ngjarje ishte metamorfoza e tyre. Atyre iu hapën sytë e shpirtit dhe përjetuan shfaqjen e natyrës hyjnore, të cilën ungjillori na e përshkruan si rrezatimi dhe shkëlqimi i diellit.  Kështu nxënësit patën mundësinë të përjetonin dritën që buronte nga natyra e tij hyjnore, dritë kjo e cila siç e thekson dhe Shën Grigor Pallamai është e pakrijuar.

    Kjo ndjesi e veçantë që përjetuan nxënësit bëri Pjetrin të kërkonte që të mos largoheshin nga aty. Po çfarë ishte kjo ndjesi? Ajo nuk është gjë tjetër veçse ndjesia e mbretërisë së Perëndisë që Krishti tashmë na e ka ofruar atë në Kishë. Dishepujt parashijuan realisht atë që do të jetojë njeriu i ri në mbretërinë e Perëndisë. Ne kemi mundësinë ta parashijojmë atë në Kishë, nëpërmjet pjesëmarrjes sonë në adhurim dhe në misteret e shenjta të Kishës.  Kungata hyjnore është misteri me anë të të cilit ne bashkohemi në Krishtin, marrim vetë Krishtin, shenjtërohemi. Dëshironi të përjetoni sadopak nga kjo ndjesi, e gjeni atë në Liturgjinë hyjnore.

    Nxënësit e Jisuit jetuan në dy dimensione krejt të ndryshme, nga e cila ata kërkonin të qëndronin në lavdinë e birit të Perëndisë. Edhe ne si të krishterë, jetojmë në dy dimensione, në atë mbretërisë së Perëndisë që e jetojmë brenda në Kishë dhe  botën. Vihemi njësoj si në pozicionin e dishepujve. Duam të jetojmë në botë, dhe kur themi botë nënkuptojmë mëkatin, pjesën e rënë, apo duam ta jetojmë pafundësisht atë ndjesi që përjetuan edhe dishepujt. Zgjedhja është e jona. Për përpara se të marrim një vendim duhet të mendojmë që zgjedhja e parë është e përkohshme dhe në këtë mënyrë do humbasim të përjetshmen, kurse zgjedhja e dytë që konsiston në të përjetshmen na kërkon pak mund që të kapërcejmë të përkohshmen. Përsëri ju them se zgjedhja është e jona.

    Ngjarja e Metamorfozës është gjithashtu një imazh dhe ikonë e personit të Jisuit, imazh i planit që Perëndia ka për shpëtimin e njeriut. Ashtu si Fjala e Perëndisë u mishërua dhe mori natyrën tonë njerëzore që ta ringrejë dhe ta rikthejë atë në dimensionin e plotë të saj, të njëjtën gjë bën Jisui edhe në këtë pasazh; i merr të tre nxënësit e tij dhe u jep atyre mundësinë e transformimit, shndërrimit të natyrës së tyre për një moment të pacaktuar nga koha. Këtë gjë mund ta bëjë Jisui nëpërmjet natyrës së tij hyjnore. Kjo është dhurata më e madhe që Perëndia i bën njeriut për shpëtimin tonë. Ajo që kërkohet nga ne është vetëm ta pranojmë këtë dhuratë.

    Përkujdesja që Perëndia tregon për njeriun, na mëson se kjo përkujdesje vjen nga dashuria e tij. Shën Makari i Egjiptit na thotë se: “Zoti ynë erdhi për këtë qëllim, për ta ndryshuar natyrën njerëzore, për ta përtëritur dhe për ta rikrijuar këtë shpirt, që u shkatërrua nga pasionet, kur nuk iu bind thirrjes së Zotit. Dhe për ta ripërtërirë, ai e bashkoi atë me hyjninë e Tij. Me pak fjalë, ai erdhi për të bërë një mendje të re, një shpirt të ri, sy të rinj të etur për të parë Zotin, veshë të rinj, gjuhë të re shpirtërore, me një fjalë, për të bërë njerëz të rinj, shpirtërorë që do të besojnë në Të.”

    Ai nuk do që ne të humbasim në errësirën e mëkatit dhe të mos kemi jetë, sepse largësia nga Perëndia për ne do të thotë vdekje. Nuk mund të jetojë njeriu nëse ndodhet larg Perëndisë. Jemi krijuar që të kemi një lidhje, mardhënie me krijuesin, ndaj ftohemi që ta ruajmë këtë lidhje. Kështu tregojmë që e duam vërtet jetën tonë, e duam veten tonë dhe kujdesemi për të.

    Disa mund të mendojnë se pse duhet të shkojmë në Kishë, dhe të bëjmë gjithë këto gjëra kur Perëndia meqënëse na do, dashuria e tij nuk do na lejojë që të humbasim. Këtë mendim e kanë dhe Etërit si Shën Maksim Konfesori dhe jo vetëm njerëzit e thjeshtë. Përgjigjia është e thjeshtë. Po, Perëndia mund të na shpëtojë për shkak të dashurisë së tij, por ne nuk do duam më të jetojmë më Zotin. Parajsa që Perëndia do të na ofrojë do bëhet për ne një ferr i vërtetë. Sepse nuk e kërkuam vetë, nuk u përpoqëm për të vetë, por jetuam një formë tjetër jete, e cila na çon vetëm në humbje. Nuk treguam në jetën tokësore se duam Perëndinë dhe duam të kemi një mardhënie me të në përjetësi.

    Kjo jetë tokësore na jep mundësinë që të zgjedhim  se çfarë do jetojmë përjetësisht. Në këtë jetë kemi mundësinë ti jetojmë të dyja dimensionet. Zgjedhja gjithmonë varet nga ne. Perëndia është aty dhe pret për ne, gëzohet kur dikush i afrohet atij më tepër, por hidhërohet nga dashuria e madhe kur dikush largohet më tepër nga ai. Ai pret pendimin tonë, sa herë që mëkatojmë. Nuk mërzitet se pendohemi një qind herë në ditë, por pret me padurim si ati të birin, që të kthehet. Ky është Perëndia i dashurisë, i cili na u bë i njohur nëpërmjet Birit të tij të Vetëmlindur, Zotin tonë Jisu Krisht.

    Vështirësitë e shumta të përditshmërisë sonë shpesh herë na bëjnë që t’a harrojmë mardhënien tonë me Perëndinë. Por nuk duhet të harrojmë që Krishti është qendra e jetës sonë. Të gjitha shkojnë dhe vijnë, por Krishti do të mbetet përjetë. Prandaj Ai është mbështetja jonë. Nuk do të na braktisë, por nga ana tjetër edhe na pret që ne të afrohemi duke bërë përpjekjen tonë. Na fton që ti ngjitemi malit të Taborit për të përjetuar sadopak lavdinë e tij. Gëzimi dhe kënaqësia që do të ndiejmë në këtë lavdi e kapërcen dhimbjen e vështirësive të kësaj jete të përkohshme.

    Të dashur vëllezër dhe motra më Krishtin.

    Le të ndjekim shembullin e dishepujve të Zotit, të cilët e pranuan ftesën për t’iu bashkuar ngjarjes së Metamorfozës. Kjo ftesë në ditët e sotme përkthehet në tre pika të rëndësishme: besim, dëshmi dhe përpjekje të vazhdueshme në mënyrë që të na denjësojë Perëndia të përjetojmë energjitë hyjnore të tij, të transformohet jeta jonë duke i jetuar të dy dimensionet njëkohësisht por me predispozitën për të kaluar përjetësisht në dimensionin e mbretërisë së Perëndisë, realitet i mishëruar i së cilës në botë është Kisha, trupi i Krishtit. Ky realitet është aktual dhe jetohet çdo ditë.

    “Kush ka veshë për të dëgjuar le të dëgjojë”. Mt.11:15. 

Comments